Litotripsia – Goditja e fundit gurëve në veshka
LITOTRIPSIA, OSE THYERJA E GURËVE ME ULTRATINGUJ ËSHTË SOT METODA MË E PËRHAPUR NË MJEKIMIN E GURËVE TË APARATIT URINAR. SI PARIM BAZË I PUNËS SË ESWL-SË ËSHTË PËRÇIMI I VALËVE TË FORTA NËPËRMJET APARATIT TË CILAT DUKE DHËNË ENERGJINË E TYRE NË KONTAKTIN ME GURIN E GODASIN ATË DHE E THËRRMOJNË.
Në çfarë konsiston dhe si funksionon sistemi urinar?
Sistemi urinar përbëhet nga veshkat, ureterët, fshikëza e urinës dhe uretra. Veshkat janë organe në formë fasuleje që gjenden në pjesën e prapme të trupit, poshtë brinjëve dhe në të dyja anët e shtyllës kurrizore. Funksioni kryesor i veshkave është eliminimi i ujit të tepërt dhe eliminimi i produkteve toksike (të dëmshme) të trupit. Në bazë të këtyre funksioneve veshka është ruajtësi kryesor i ekuilibrave në gjak. Ureteri është një organ në formë tubi 22-23 cm i gjatë që ka për funksion kalimin e urinës nga veshka në fshikëzën e urinës. Fshikëza e urinës është një organ që gjendet në pjesën e poshtme të barkut dhe ka si funksion depozitimin e urinës, ndërsa uretra është organi që nxjerr urinën nga fshikëza e urinës jashtë trupit.
Pse formohen gurët në veshka dhe çfarë është përbërja e tyre?
Si bazë e formimit të një guri në veshka janë kristalet të cilat precipitojnë në veshkë dhe që më vonë duke u bashkuar me njëri-tjetrin formojnë gurë. Trupi i njeriut prodhon lëndë që pengojnë formimin e kristaleve dhe precipitimin e tyre, porse në disa raste këto janë të pamjaftueshme dhe çojnë në formimin e gurit. Një shkak tjetër është dhe qënia e urinës acide ose bazike më shumë seç duhet.
Gurët në veshka nga ana kimike janë të përbërjeve të ndryshme dhe të disallojshme. Më i shpeshti është guri i kalciumit që shoqërohet me fosfat ose oksalat. Këto lëndë gjenden në ushqimin e përditshëm si edhe kanë depozita të mjaftueshme në kockat dhe muskujt e trupit.
Kush preket nga kjo sëmundje?
Për shkaqe që nuk dihen, në 20 vitet e fundit në botë, ka një rritje të sëmundjeve të gurëve në veshka. Raca e bardhë ka një rrezik më të madh për të bërë gurë në veshka se sa raca afroamerikane. Megjithëse në vitet e fundit ka një ritje të formimit të gurëve në veshka tek femrat, prapë meshkujt mbeten më të prekur nga kjo sëmundje. Nëse një pacient ka patur një herë gurë në veshka, është me rrezik më të lartë për të patur përsëri se sa personat e tjerë që nuk kanë patur ndonjëherë. Në shumicën e rasteve, mjekët nuk mund të japin diçka konkrete për shkakun e formimit të gurëve, megjithëse disa ushqime mund të pretendohet që janë shkak për formimin e gurëve, ende nuk ka diçka të vërtetuar shkencërisht. Nëse dikush ka në familje dikë me këtë sëmundje ka një rrezik të shtuar për të formuar gurë se sa të tjerët.
Cilat janë simptomat e të paturit gurë në veshka?
Si simptomë e parë e gurit në veshkë është dhimbja që në shumicën e rasteve fillon menjëherë. Bashkë me këtë dhimbje, mund të ketë edhe të përziera. Kjo dhimbje në shumicën e rasteve fillon në ije, më vonë mund të përhapet dhe në rrëzën e kofshës.
“Gurët në veshka nga ana kimike janë të përbërjeve të ndryshme dhe të disallojshme. Më i shpeshti është guri i kalciumit që shoqërohet me fosfat ose oksalat. Këto lëndë gjenden në ushqimin e përditshëm si edhe kanë depozita të mjaftueshme në kockat dhe muskujt e trupit.”
Simptoma të tjera mund të jenë urinim i shpeshtë, djegje gjatë urinimit dhe hematuri (urinim me gjak). Hematuria e shkaktuar nga gurët në veshka asnjëherë nuk arrin në një hematuri serioze. Nëse bashkë me këto simptoma ka dhe temperaturë, kjo është shenjë e një infeksioni dhe duhet shkuar menjëherë tek mjeku. Në disa raste, gurët mund të jenë të fshehtë dhe pa asnjë simptomë.
Si mund të parandalojmë ose trajtojmë?
Pacientëve që kanë këto simptoma u bëhen analizat e gjakut,analiza e urinës, grafi, Echo abdominale, IVP, të cilat shërbejnë për të parë madhësinë dhe vendndodhjen e gurit. Gurët që nxirren nga vetë pacienti, duhet të çohen për analizë kimike, për të parë përbërjen e tij, dhe në bazë të këtyre analizave mund të jepen këshilla ose ilaçe parandaluese. Mënyra më e lehtë dhe më efektive për parandalimin e gurëve në veshka është konsumi i ujit në sasi të tillë që pacienti të urinojë 2 litra në ditë. Pacientët që kanë kalcium dhe oksalat në sasi të madhe në urinë duhet të ulin por jo të ndërpresin konsumin e ushqimeve që përmbajnë këto lëndë. Për gurët me përbërje acidi urik përdoret allopurinol që ul sasinë e acidit urik në urinë. Hidroklortiazid është një ilac që rrit sasinë e urinës por që ul në sasi të konsiderueshme kalciumin në urinë. Në eksperimentet e bëra tek kafshët është vënë re se vitamina B6 ul sasinë e oxalatit në urinë.
ExtraCorporeal Shock Wave Lithotripsy – Thyerja e gurëve me ultratinguj
Litotripsia, ose thyerja e gurëve me ultratinguj është sot metoda më e përhapur në mjekimin e gurëve të aparatit urinar. Si parim bazë I punës së ESWL-së është përçimi i valëve të forta nëpërmjet aparatit të cilat duke dhënë energjinë e tyre në kontaktin me gurin e godasin atë dhe e thërrmojnë. Gjatë procesit të ESWL-së guri mbahet nën kontroll ultrasonic. Dalja e gjeneratave të reja të aparaturave për thyerjen e gurit ka bërë që goditja të përqëndrohet në zona akoma më të vogla dhe kjo të jetë efektive edhe tek fëmijët. Në shumicën e rasteve, litotripsia-ja është një procedurë që nuk ka nevojë për shtrim në spital dhe në shumicën e rasteve nuk ka nevojë as për anestezi. Pasi bëhet thyerja e guri, pas disa orësh, pacienti mund të vazhdoje jetën normale. Ndër komplikacionet e litotripsi-së mund të përmendim praninë e hematurisë në 2-3 ditët në vijim dhe dhimbjen që mund të shkaktojnë grimcat e gurit të thyer gjatë daljes. Pacientët që përdorin Aspirinë ose ilaçe të ngjashme për hollimin e gjakut, duhet që të ndërpresin disa ditë përpara litotripsisë këto ilaçe. Në disa raste grimcat e thyera që bien mund të bllokojnë ureterin dhe urologu për të rehatuar veshkën mund të vendosë një tub të hollë silikoni midis veshkës dhe fshikezës së urinës.
Kujdes!
Ka dy raste që janë absolutisht të kundërindikuara, pra që nuk mund të përfi tojnë nga litotripsia; gratë shtatzëna dhe pacientët me probleme me koagulimin (mpiksjen) e gjakut.
Si procedohet nëse litotripsia nuk ndihmon? Nefrolitotomia Perkutane – Heqja e gurëve me minimumin e prerjes.
Në disa raste ESWL-ja mund të jetë e paefektshme, si në gurët e mëdhenj të vendosur në pjesën e poshtme të veshkës. Në këto raste përdoret Nefrolitotomia Perkutane, që është një procedurë operative që kryhet me anestezi të përgjithshme dhe që ka si qëllim nxjerrjen e gurëve nga veshka. Në bazë të nefrolitotomise perkutane është kapja dhe thërrmimi mekanik i gurit në veshka dhe nxjerrja e tij në copa të vogla nëpërmjet sistemit viziv duke bërë një traumatizim minimal të pacientit dhe një prerje të papërfi llshme sa për të lejuar hyrjen e sistemit viziv.
Ureterorenoskopia
Nëse guri është i pozicionuar në ureter atëherë na vjen në ndihmë ureterorenoskopia që është procedura e kapjes ose thërrmimit të gurëve në ureter si dhe nxjerrja e tyre duke u futur me sistem viziv në rrugët e urinës pa e traumatizuar pacientin.