Qendra e Syrit e Spitalit Amerikan ose American Eye Center u themelua ne Gusht 2008 dhe ne me shume se nje vit ka ekzaminuar 2800 paciente, e ka operuar 720 prej tyre. Kirurge oftamologe Op. Dr. Dilek Uzer na flet per eksperiencen e saj ne te paren klinike moderne te syrit ne vend

Nga: Ornela Doci

Jeni pothuaj prej dy vitesh ne Shqiperi. Sie shihni sherbimin shendetesor ketu?
E vërtetë, jam këtu prej më shumë se dy vitesh dhe jam shumë entuziaste sepse punoj në të parin dhe të vetmin spital privat në vend. Në Tiranë ekzistojnë disa klinika me kapacitet të vogël si edhe disa zyra kontakti që dërgojnë pacientë jashtë vendit. Fakti që ka ende mjekë që vijnë me kohë të pjesshme, ekzaminojnë ose operojnë disa ditë dhe largohen sërish tregon se kemi të bëjmë ende me një treg shëndetësor të pa ekuilibruar dhe se ende ka shumë për të rregulluar por hapat e shpejta të ndryshimeve që kam parë dhe struktura shëndetësore të konsoliduara, siç është Spitali Amerikan, më bëjnë të jem optimiste. Vazhdon të ketë ende pacientë që zgjedhin të kurohen diku jashtë vendit por jam shumë e sigurtë që kjo do të ndryshojë shpejt, sapo të krijohet besimi në profesionalizmin dhe punën e mirë të mjekëve në vend. Besoj se hapja e strukturave të reja spitalore dhe rritja e konkurencës do të ketë efekt pozitiv në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Një rol të rëndësishëm duhet të luajnë siguracionet private shëndetësore por roli më i rëndësishëm sigurisht që i takon qeverisë në përfshirjën e spitaleve private në skemën e siguracioneve. Bazuar në eksperiencën që ne patëm në Turqi mund t’ju them se kjo përfshirje do të jetë revolucion në sistemin shëndetësor.

Jeni duke drejtuar nje qender qe eshte unike ne vend. Cfare eksperience ka qene?
Po, drejtoj Qëndrën e Syrit të Spitalit Amerikan, një strukturë unike dhe një investim shumë I rëndësishëm. Stafi dhe aparaturat e qendrës së syrit janë përzgjedhur për të qënë të standartit më të lartë. Ka qënë një eksperiencë e bukur por jo e lehtë. Përballem shpesh me pacientë që kanë pritur prej shumë kohësh për trajtime që i kryejmë rutinë, që kanë humbur shikimin për shkak të neglizhencës ose me pacientë që më kërkojnë të përdor me doemos termin “të jap garanci” për suksesin e operacionit. Këto më janë dukur mungesë e thellë e kulturës shëndetësore dhe profesionalizmit por sikundër në specialitetet e tjera, edhe në okulistikë Spitali Amerikan i është dedikuar përhapjes së një fryme ndryshe që kalon nga ndërgjegjësimi dhe rritja e përgjegjshmërisë tek pacientët.

Sa te kujdesshem jane shqiptaret ndaj shendetit te syrit? A perballeni me raste te veshtira apo te keqtrajtuara?
Vë re një tendencë për ta lënë pas dore shëndetin e syrit, madje shëndetin në përgjithësi. Shumica e pacientëve që ekzaminojmë vijnë në klinikë në gjëndje alarmante, pasi e kanë lënë veten shumë pas dore dhe kjo për fat të keq, në disa raste, nuk na lejon ti ndihmojmë ashtu siç do të donim. Ka prej tyre që nuk respektojnë mjekimin ose që nuk paraqiten për kontrollet periodike që janë shumë të rëndësishmë dhe të domosdoshme pas ndërhyrjeve kirurgjikale.Bashkë me pacientin e kam shumë të lehtë të vendos për të bërë një ndërhyrje kirugjikale por pas ndërhyrjes kam nevojë të kontrolloj pacientin disa herë gjatë muajit të parë për tu siguruar që cdo gjë shkon siç duhet. Mund të ndodhë edhe që një kollë e fortë të shkaktojë dëmtime në një sy të sapo operuar ndaj është e rëndësishme që të respektohen kontrollet dhe të ndërhyet në kohë nësë ka nevojë për ndihmë.
Këtu në Shqipëri kam shumë pacientë që vuajnë nga dembelizmi i syrit. Këto raste janë të kurueshme nëse kapen në moshë të vogël, por nëse lihen pas dore dhe nuk trajtohen deri në moshën 7 vjeç, rrezikohet që syri të mos shohë mirë dhe të degradojë me kohën. Ka rëndësi që prindërit të kujdesen për shëndetin e syrit të fëmijës që në moshë të vogël dhe patjetër në vitin kur fillojnë shkollën.
E njëjta gjë ndodh me pacientët me keratokonus. Kjo është një sëmundjë e degradimit të kornesë që në qendrën tonë trajtohet suksesshëm por edhe trajtimi në kohë i saj është shumë i rëndësishëm, përndryshe e çon pacientin deri në transplant të kornesë. Për fat të keq kemi numër të madh pacientësh me keratokonus, madje në moshë të re, që vijnë tek mjeku shumë të vonuar.

American Eye Center2

Keni patur me pare paciente qe vinin nga Shqiperia per tu kuruar tek ju ne Stamboll. C’ndodh sot me kete kontigjent pacientesh?
Kemi patur pacientë që vinin në Stamboll, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Mund të them se numri i tyre është ulur në minimum. Ata që zgjedhin të shkojnë ende ne Turqi janë vetëm pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje në retinë por edhe këtë hapësirë ne do ta plotësojmë brenda një periudhe tre mujore. Kështu sikundër gjithë pacientët e tjerë, edhe ky kontigjent do të ketë trajtimin këtu në Qendrën e Syrit të Spitalit Amerikan.
Them me bindje se, kryesisht për operacionet e kataraktës apo eleminimin e numrit të syzave me lazer, pacientët tanë e kanë kuptuar rëndësinë e të paturit maksimumin e shërbimit kaq afër.

“Per te krijuar nje kulture te kontrollit te syrit qe ne moshe te vogel, kemi depistuar falas mbi 400 nxenes te shkollave tetevjecare.”

American Eye Center3Këtu jo vetëm u ofrojmë atyre të njejtin profesionalizëm, por, duke qënë një qendër e re me aparatura të viteve të fundit, u ofrojmë edhe fjalën e fundit të teknologjisë. Kemi mundësinë e konsultimit online me kolegë tanët në Turqi e Francë të rasteve të veçanta si problemet e retinës dhe u eleminojmë kështu pacientëve mundin e shpenzimet dhe u lejojmë të kthehen pranë familjes që ditën e ndërhyrjes.

Eshte e dukshme qe jeni krenare per cfare keni arritur ne Departamentin e Okulistikes ne Spitalin Amerikan. Pacientet si e vleresojne?
Kjo qendrër është fryt i një pune dy vjeçare të bërë me shumë përkushtim. E ndjej si një krijesë timen ndaj mundohem çdo ditë që çdo gjë të jetë perfekte. Jo vetëm vlerësimi i pacientëve por edhe i kolegëve që vijnë shpesh për të na vizituar ka qënë maksimal. Disa prej tyre të ardhur nga Turqia apo vendet e rajonit kanë shprehur habinë dhe vlerësimin për aparaturat dhe metodat e avancuara të përdorura në klinikën tonë. Nga aparaturat e sallës së operacionit në ato të kirurgjisë me lazer, cdo gjë është përzgjedhur që të jetë e fjalës së fundit dhe të përdorura për herë të parë nga ne. Sigurisht që asnjëra prej tyre nuk do të kishte kuptim nëse edhe stafi nuk do të ishte i së njejtës cilësi. Kemi fatin e madh që ekipi i mjekëve, asistentëve e infermierëve kanë studjuar dhe janë trajnuar për aplikimin e teknologjive më të reja. Për sa i përket kënaqësisë së pacientëve jam e sigurt që kudo, në çdo qendër shëndetësore ka gjithmonë hapësira për të përmirësuar. Ne bashkë me departamentin e menaxhimit të cilësisë punojmë ngushtë për të përmirësuar çdo ditë shërbimin në poliklinikë. Për sa i përket cilësisë së ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kënaqësisë së pacientëve që u nënshtrohen atyre mund të them pa modesti që pyetësorët tanë tregojnë 100% pacientë të kënaqur nga shërbimi dhe rezultatet.

Qendra juaj ka iniciuar edhe disa fushata falas ne ndihme te grupmoshave te caktuara. Ne cfare konsistojne?
Ne theksojmë gjithnjë rëndësinë që ka depistimi i syve në moshë të hershme, kryesisht në atë të fillimit të shkollës. Për këtë arsye dhe për të krijuar një kulturë të kontrollit të syrit që në moshë të vogël, këmi depistuar falas mbi 400 nxënës të shkollave tetëvjeçare. Herë pas here kemi kryer ndërhyrje kirurgjikale pa pagesë. Këto kanë qënë ndërhyrje jo vetëm të kryera në ndihmë të personave në nevojë por edhe të pa realizuara më parë në Shqipëri.
Shembulli i fundit ishte operacioni i syve të dy motrave të vogla nga Hasi të lindura me kataraktë kongenitale që u mundësua edhe me ndihmën e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë. Një tjetër nismë jo vetëm e klinikës tonë por e gjithë Spitalit Amerikan ishin vizitat falas për gjithë personat mbi 60 vjeç gjatë gjithë muajit dhjetor, një dhuratë modeste kjo për fundvit.

Po jashte spitalit, si ndiheni ne Tirane?
Nëse do të krahasoja me qytetin tim, Stambollin, Tirana është sigurisht shumë e vogël por për mua është një vend i bukur, ende për tu zbuluar. Më pëlqejnë rrethinat e Tiranës, dhe njerëzit e saj. Mund të them pa hezitim se nuk jam ndjerë aspak e huaj këtu, qëndrimi im me kohë të plotë ka qënë nje zgjedhje e imja për të cilën nuk jam penduar aspak.

Cilat jane projektet e reja?
Ka vetëm një lloj kirurgjie që nuk është kryer në qendrën tonë deri në fund të 2009 por tani që ju keni në dorë revistën Vital edhe kjo besoj do të jetë plotëuar: kirurgjia vitroretinale. Energjitë tona i kemi përqendruar për momentin në themelimin e departamentit të kirurgjisë vitroretinale. Duke patur parasysh se është një mangësi serioze jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon, kam bindjen se i kishte ardhur rradha, megjithëse është një sipërmarrje tepër ambicioze. Ekipi do të jetë sërish i përbërë nga kolegë turq me shumë vite eksperiencë dhe nga kolegë shqiptarë mjaft të talentuar të specializuar në kirurgjinë vitroretinale. Me realizimin e këtyre ndërhyrjeve plotësojmë kështu gjithë gamën e shërbimeve që mund të ofrojë një qëndër moderne e shëndetit të syrit dhe që do ta klasifi konte American Eye Center jo si një klinikë por si një spital të mirëfi lltë syri.

American Eye Center4Dr. Dilek Uzer Kirurge – Oftalmologe
Eshte bukur kur degjohen ne te njejtin qytet zeri i ezanit nga xhamia dhe kembanat mistike te kishes, kjo me perforcon mendimin se ky eshte nje qytet qe mirepret cdo person i cfaredo profesioni, kombesie apo besimi qofte. Ndihem si ne shtepi dhe pacientet e mi e vleresimi i tyre me kane bere te ndihem akoma me mire.